Ke nevojë për ndihmë?

Ndaj këtë artikull

5 Gjëra të Rëndësishme për t’u Përfshirë në Website-n tuaj

Krijimi i një website për biznesin tënd, mund të duket si një punë e ndërlikuar. Nëse jeni duke ndërtuar një faqe interneti si fillestar ose madje edhe nëse keni tashmë një faqe të tillë, po të dini se cilat informacione duhet të përfshihen, kjo mund ta thjeshtëzojë procesin dhe do t’ju ndihmojë ta shfrytëzoni plotësisht prezencën tuaj online.

Ja 5 gjëra për të përfshirë që të siguroheni që po shfrytëzoni maksimalisht faqet tuaja të internetit:

Një Faqe ‘Rreth...’

Faqja ‘Rreth...’ është shpesh një nga faqet më të vizituara të adresave të internetit. Këtu ju jepet mundësia për të prezantuar biznesin dhe treguar historinë tuaj. Mund të jetë një mënyrë efektive për të ‘njerëzuar’ markën tuaj duke ndërtuar besimin dhe besueshmërinë të cilat do të ndihmojnë t’i kthejnë vizitorët rastësorë në klientë të rregullt.

Është gjithashtu një vend shumë i mirë për të vënë në pah vlerat tuaja si dhe copëza të tjera informacionesh të cilat ju veçojnë – si p.sh. diçka që bëni ndryshe nga konkurruesit tuaj, ose një kauzë e veçantë që mbështesni

Këshillë: Filloni këtë faqe me një-dy fjali për sfidat ose synimet e lexuesve. Kjo bën që ata të ndihen të kuptuar, dhe tregon që keni simpati për nevojat e tyre.

Hollësitë e Produkteve dhe Shërbimeve

Nëse shisni produkte, secili produkt duhet të ketë një faqe të dedikuar, dhe të përfshijë një përshkrim, çmim dhe të dhëna teknike si për shembull materialet dhe përmasat. Shtimi i rishikimeve nga klientët është mënyrë efektive për të rritur besimin e blerësve të mundshëm, dhe vetë rishikimet mund t’u ofrojnë përgjigje pyetjeve të mundshme të klientëve lidhur me artikujt.

Përfshirja e informacionit të qartë për afatet dhe kostot e dorëzimit të produkteve ndihmon klientët të kuptojnë se çfarë mund të presin. Nëse ofroni dërgesa falas, mos harroni të nënvizoni këto karakteristika të dobishme.

Këshillë: Shkruani përshkrime unike për secilin produkt. Kjo jo vetëm u jep vizitorëve një përvojë më të mirë në faqet tuaja, por edhe vepron në dobi të SEO.

Për bizneset me bazë në shërbime, përdorni këtë faqe për të përshkruar shërbimet tuaja në mënyrë të qartë dhe të lehtë për t’u kuptuar për lexuesit tuaj. Filloni duke i përmbledhur, pastaj shpjegoni secilin në mënyrë koncize. Nëse ofroni shumë shërbime, iu sugjerojmë të keni faqe të dedikuara për secilin shërbim, ku vizitorët mund të informohen më me hollësi.

Këshillë: Shpeshherë lexuesit nuk do ta dinë se cili shërbim mund të jetë më i miri për ta. Për një eksperiencë më të mirë të klientit, mundësojuni atyre të lidhen me ju përmes një numri kontakti të shërbimit të klientit ose një adrese email, që ju t’i udhëzoni për zgjidhjen më të mirë.

Faqja e Ekipit të punës

Vizitorët e faqeve të internetit kanë kureshtje të dinë se nga kush po blejnë, po aq sa dhe produktet që blejnë. Një faqe e dedikuar për ekipin e njerëzve që punojnë në biznesin tuaj ju jep mundësinë ti nxirrni ata në pah për punën, funksionin dhe kontributin e tyre.

Këshillë: Ju mund të përdorni fotografi të secilit anëtar të ekipit, madje edhe të përdorni një avatar ose një ikonë që pasqyron karakterin ose rolin e personit në fjalë.

Detajet e Kontaktit dhe Selisë

Hapësira ku njerëzit mund të lidhen me ju.

Shtoni numrin e telefonit të biznesit, adresën e emailit, selinë, adresat në media sociale si dhe live chat [bisedë e drejtpërdrejtë] (nëse e keni). Ju mund të përfshini edhe një hartë për të treguar vendodhjen e saktë të biznesit tuaj.

Një formular kontakti e bën të lehtë të regjistroni detajet e vizitorëve të faqes si p.sh. emri, adresa e emailit si dhe një mesazh i shkurtër për arsyet pse po ju kontaktojnë. Është ide e mirë të mendoni për llojin e informacionit që do t’ju lejonte t’u përgjigjeni pyetjeve në mënyrë më efikase, por mos kërkoni detaje të panevojshme – mbani formularin të thjeshtë.

Lista e orarit të punës përmirëson eksperiencën dhe pritshmëritë e klientëve/vizitorëve. Nëse keni një dyqan fizik, klientët do të kenë më shumë gjasa t’iu vizitojnë nëse janë të sigurt që dyqani është i hapur. Mbani mend të përfshini edhe oraret e punës gjatë festave dhe t’i përditësoni sa herë që duhet – klientët tuaj do të vlerësojnë faktin që mund ta gjejnë kollaj këtë informacion.

Këshillë: Shqyrtoni mundësinë e përdorimit të një formulari kontakti me CAPTCHA, e cila parandalon kontaktet nga spam bots [programe të jashtme të cilat dërgojnë mesazhe të paftuara].

Faqja FAQ [Pyetje të Zakonshme]

Një faqe FAQ (pyetje të bëra shpesh) është një hapësirë për t’u kthyer përgjigje pyetjeve që merrni më shpesh. Lexuesit mund të shkojnë te kjo faqe për të gjetur informacionin që kërkojnë, duke i’u kursyer kohë që të mos u përgjigjeni disa herë të njëjtave pyetje. Kjo mund të lidhet me gjëra të tilla si p.sh. transporti dhe kthimi i mallrave, pagesat e të tjera.

Këshilla: Shkruani pyetjet nga këndvështrimi i klientit tuaj. Kështu adresoni më mirë nevojat e lexuesit dhe optimizoni motorrët e kërkimit SEO sepse ka më shumë të ngjarë të përputhet me ato që kërkohen në motorët e kërkimeve.

Për shembull, pyetjet sugjerohet të adresohen si vijon: “A mund të blej unë një kartë dhuratë?” dhe jo “A mund të blini ju një kartë dhuratë?

Website juaj është një dritare ndërveprimi me lexuesit tuaj, kështu që, nëse tregoheni i kujdesshëm në mënyrën se si ofroni informacione, kjo mund të ndikojë pozitivisht në përvojën që u jepni atyre.

Mos harroni, mund edhe të bisedoni me këshilltarët dixhitalë V-Hub tanë miqësorë për më shumë këshilla falas për biznesin dixhital.

Artikujt e fundit të lidhur dhe trajnimi