SEO (Optimizimi i Motorit të Kërkimeve) është faktor i rëndësishëm kur bëhet fjala për shfrytëzimin maksimal të faqeve tuaja në internet. Por zhargoni dhe fjalorthi teknik mund ta bëjnë të vështirë për t’u kuptuar dhe zbatuar mirë. Që t’ju ndihmojmë t’i kuptoni më mirë detajet e optimizimit të motorëve të kërkimit, kemi ndërtuar këtë fjalorth SEO me përkufizime të thjeshtëzuara dhe këshilla ndihmuese.
A jeni kureshtar të testoni njohuritë që keni për SEO? Bëni këtë kuiz.
Përmbajtja e përsëritur
Kur e njëjta përmbajtje shfaqet në më shumë se një faqe në internet, ajo njihet si përmbajtje e përsëritur. Motorët e kërkimeve, siç janë Google ose Bing, nuk i duan përmbajtjet e përsëritura sepse atje ku ka shumë faqe të cilat shfaqin përmbajtje të njëjta ose shumë të ngjashme, nuk kuptohet qartë se cila faqe duhet të listohet më lart në rezultatet e kërkimit. Kjo shkakton paqartësi dhe mund t’iu ndikojë negativisht sepse motori i kërkimeve mund të rendisë faqen tuaj në fund të listës, duke i dhënë përparësi dhe pozicionim më të mirë faqeve të tjera në internet.
Mënyra më e mirë për t’u siguruar që po shmangni përmbajtjen e përsëritur është të siguroheni që përmbajtja juaj është unike dhe origjinale në secilën faqe. Në rast se, për çfarëdolloj arsye, ju vërtet keni nevojë të përdorni të njëjtën përmbajtje në më shumë se një faqe, një këshillë është të përdorni një URL kanonike e cila do të përfaqësojë faqen origjinale për motorët e kërkimeve.
“Lidhjet e thyera” | Broken links
“Lidhjet e thyera” përshkruajnë lidhjet e një faqeje interneti të cilat nuk punojnë. Këto lidhje janë zhgënjyese për përdoruesit sepse lundrimi i tyre në internet ndërpritet befasisht, ose ngaqë nuk marrin dot informacionin e duhur ose nuk mund të ecin më tutje me një proces të caktuar që të arrijnë në destinacion. Kjo mund të shkaktojë pakënaqësi tek vizitorët, të cilët mund të humbasin interesin ndaj faqes tuaj.
Më tej, lidhjet e thyera shkaktojnë probleme edhe për motorët e kërkimeve sepse këta të fundit përdorin lidhje për të zbuluar faqe të reja. Nëse faqet tuaja në internet përfshijnë lidhje të thyera, nuk ka shumë të ngjarë që kërkimet t’i vlerësojnë favorshëm.
Ju mund ta shmangni këtë problem duke kontrolluar vetë rregullisht faqet tuaja të internetit, ose duke përdorur një mjet për të kontrolluar për lidhjet e thyera, siç është Google Search Console, që t’ju ndihmojë t’i identifikoni dhe modifikoni.
Ndëshkimet nga Google
Nëse merrni një ndëshkim nga Google, kjo do të thotë që keni shkelur një ose më shumë nga rregullat e marketingut që Google ka. Google në mënyrë zyrtare u referohet këtyre si ‘veprime manuale dhe veprime algoritmike’ dhe jo si ndëshkime. Veprimet manuale bëhen nga një individ i cili rishikon faqet tuaja, ndërsa veprimet algoritmike vijnë nga një përditësim i Google i cili ul në renditje faqen tuaj.
Në varësi të llojit të shkeljes, dënimet mund të përfshijnë uljen e renditjes së faqes ose madje edhe heqjen e saj plotësisht nga rezultatet e kërkimeve.
Çdo gjë që Google e cilëson si mashtrim, hile ose manipulim të motorit të kërkimeve që t’ju sigurojë rezultate më të mira, mund t’ju shkaktojë një dënim. Taktika të tilla si p.sh. mbushja e përmbajtjes suaj me fjalë kyç, blerja e lidhjeve ose përdorimi i teknikave “spam” mund të çojnë në pasoja të tilla si humbja e trafikut dhe të ardhurave.
Nëse bëni ndonjë gabim dhe kjo rezulton në një ndëshkim, mos u shqetësoni sepse mund të ndërmerrni hapa për ta ç’bërë. Por mënyra më e mirë për të mos u dënuar nga Google, në radhë të parë është të ndiqni udhëzimet e Google, duke u përqëndruar në krijimin e përmbajtjeve origjinale për audiencën tuaj.
Indeksimi i faqes
Me qëllim që biznesi juaj të jetë i aksesueshëm në internet, faqet tuaja duhet të jenë të indeksuara. Indeksim do të thotë që ato i janë shtuar bazës së të dhënave të internetit në mënyrë që njerëzit të mund t’i gjejnë kur kërkojnë informacione lidhur me përmbajtjen tuaj. Në rast të kundërt faqet tuaja do të ishin ‘të padukshme’.
Motorët e kërkimeve janë gjithmonë duke kërkuar nëpër internet - duke përdorur ‘bots’ ose ‘merimanga’ - për të gjetur faqe të reja për t’ia shtuar bazës së të dhënave të rezultateve të kërkimeve. Shpejtësia e gjetjes së faqes suaj nga motorët e kërkimit është një faktor në renditjen e faqeve. Ndaj, duhet të siguroheni që faqet tuaja janë lehtësisht të aksesueshme duke bërë që motorët e kërkimeve t’i shqyrtojnë kollaj duke i gjetur për indeksim. Një nga mënyrat për të kërkuar indeksimin e faqeve tuaja është nëpërmjet Google Search Console.
Që ta mbani faqen tuaj të dukshme pas indeksimit, mos harroni ta optimizoni vazhdimisht për motorët e kërkimeve dhe të krijoni përmbajtje cilësore.
Lidhjet përshkruese
Ndryshe nga lidhjet gjenerike si p.sh. ‘klikoni këtu’, lidhjet përshkruese i tregojnë përdoruesit saktësisht se ku do të shkojë dhe çfarë të presë nëse do të klikojë atë lidhje. Si një përshkrim i qartë dhe i shpejtë i përmbajtjes së faqes së lidhur, ato ofrojnë një sugjerim të dobishëm për përdoruesin pa nevojën për të klikuar.
Disa shembuj të lidhjeve përshkruese do të ishin: ‘mësoni si të bëni një pandispanje’ ose ‘lexoni më shumë për vendet për t’u vizituar në Paris’. Kështu lexuesi e ka më të lehtë për të kuptuar përmbajtjen e lidhjes tek e cila po klikon.
Lidhjet përshkruese u kursejnë përdoruesve kohë dhe pakënaqësi gjatë përdorimit të internetit, dhe janë veçanërisht të dobishme për ata me nevoja të veçanta aksesueshmërie, të cilët përdorin programe të veçanta të leximit të ekranit për të përdorur internetin.
Kuptimi i këtyre termave SEO të përdorura shpesh mund t'ju ndihmojë të zbatoni një strategji efektive për të arritur qëllimet e biznesit tuaj.
Për më shumë këshilla dixhitale për biznesin tuaj, bisedoni me një nga Këshilltarët tanë Dixhitalë V-Hub.